Në shekullin XVIII e shtroi rrugën e superyjeve të ditëve të sotme, por Charles Dibdin tashmë është i harruar. Jeta e tij tregon se cila është natyra e famës dhe çfarë fati i pret nesër të famshmit e sotshëm.
Mendoni për një yll të muzikës pop, për një shumë të famshëm që e përkufizon një epokë. A po parafytyrohet David Bowie? Prince? Elton John? Ndoshta Taylor Swift, Lady Gaga apo Adele? Një solo-kantautor, personaliteti i të cilit është po aq i njohur sa muzika dhe teksti, është guri themeltar i muzikës pop. Megjithatë, asnjë nga këta emra nuk arriti ndikimin e ndoshta yllit të parë të popit në Britani: Charles Dibdin. Nëse emri nuk është i njohur, kjo ndodhë sepse vdiq më 1814. Por, mund ta njihni melodinë e një prej këngëve të tij të shumta detare, “Tom Bowling”, që jepet shpesh në koncertin e vjetor të muzikës klasike në Mbretërinë e Bashkuar, “Last Night of the Proms”.
Megjithatë, edhe gjatë jetës së tij – në të vërtetë edhe për gjysmë shekulli pas vdekjes së tij – Dibdin nuk ishte mrekulli që bënte hitet nr. 1, por figurë jashtëzakonisht kreative dhe shumë e famshme. Interpretoi në opera dhe më pas i shkroi të vetat; kompozoi më shumë se një mijë këngë; bëri turne të shfaqjeve me një person në gjithë vendin dhe e hapi teatrin e tij në Londër. Shkroi disa romane dhe një histori teatri në pesë vëllime. Autobiografia e tij shtrihej gjithashtu në katër vëllime – kujtimet më të mëdha të periudhës së tij dhe tregues i mirë i lehtësisë së jashtëzakonshme të Dibdinit për vetëpromovim.
“Ishte kantautori më me ndikim që ka pasur ndonjëherë Britania”, këmbëngul David Chandler, profesor i Letërsisë Angleze në Universitetin “Doshiba” në Kioto, i cili ka mbikëqyrur incizimet e fundit – në CD dhe transmetim digjital – të disa prej veprave të Dibdinit. “Kush është kantautori më i madh britanik? Shumica e njerëzve do të zgjedhin dikë të gjallë ose të vdekur së fundmi, por shumica e tyre do të kishin konkurrencë [në epokat e tyre përkatëse]. Me Dibdinin thjesht e keni dikë pa rival të duhur. Askush tjetër nuk mund të kombinojë aftësitë e tij të performancës dhe talentin e tij muzikor, aftësinë e tij për të shkruar tekste dhe aftësinë e tij për t’u vetëpromovuar. Të gjitha këto në një njeri. Kjo është ajo që e bën vërtet unik”.
Chandler fillimisht u magjeps nga Dibdini sepse, si studiues që hulumtonte epokën romantike, vazhdoi ta gjente emrin e tij në gazeta. Dibdin kishte natyrë mjaft të stuhishme dhe shpesh gjendej në vështirësi financiare duke luftuar me kritikët dhe duke u përplasur në mënyrë dramatike me figura të tjera në skenën teatrale të Londrës – përfshirë David Garrickun i cili i shfrytëzoi talentet muzikore të Dibdinit (për teatrin e tij “Drury Lane” në vitet 1760 dhe 1770), kur Dibdin ishte ende i ri.
Reputacioni i Dibdinit si i ndërlikuar për të punuar me të, përfundimisht çoi në vënien në skenë të shfaqjeve të tij, si i vetëm – që nga viti 1787. I quajti këto shfaqje novatore, turne të “Zbavitjes në tryeza” dhe është një përzgjedhje e tyre – krahas veprës “The Jubilee”, e shkruar për Festivalin e famshëm të Shekspirit më 1769, të udhëhequr nga Garricku – që së fundmi janë shfaqur dhe regjistruar nga Opera “Retrospect” me baritonin Simon Butteriss që e kthen në jetë Dibdinin.
“Dibdin krijoi armiq, sigurisht se po, si shumë personalitete të mëdha. Dhe, kjo është arsyeja pse ai ishte i detyruar të punojë i vetëm”, qesh Butteriss. “Ishte luftë; duhej të bënte gjithçka vetë, pasi u bë i famshëm nga ‘Drury Lane’”.
Megjithatë, “Zbavitjet në tavolina” ishin hit. Si tregimtar simpatik, Dibdin luante shumë personazhe, duke i ndërthurur tregimet komike me këngët e luajtura në piano. Në librin e tij më të suksesshëm, të titulluar “The Wags”, për shembull Dibdin paramendon një vilë jashtë Londrës – një “kamp kënaqësie” ku ekscentrikët anglezë hanë dhe pinë, tregojnë shaka e histori, si dhe këndojnë këngë. E shfaqur për herë të parë më 1790, “The Wags” ishte e katërta “Zbavitje në tavolina” që e paraqiti Dibdinin “të aftë të përsoste produktin e tij deri në pikën ku kishte tërheqje pothuajse të përsosur”, thotë Chandler. Dibdini e performoi 108 herë vetëm në sezonin e parë në Londër dhe vazhdoi të prodhonte të rejat “Zbavitje në tavolina” në 20 vitet e ardhshme.
“Në shkrim është aq i gjallë”, thotë Butteris, i pyetur për tërheqjen e tij ndaj punës së Dibdinit. “I inerpretoj pjesët e bukura të Gilbertit dhe Sullivanit, dhe rolet e personazheve në opera, e për shkak se mendoj më shumë si aktor sesa si një këngëtar, më tërhoqi ai se me të vërtetë kishte kaq shumë brumë dramatik dhe komik në shkrimet e tij. U ndje si shpirt i afërt”.
Teksa Butteriss e pranon se shumë nga këngët e Dibdinit nuk do të qëndronin si pjesë individuale, sugjeron se narrativa që Dibdini shkruante rreth tyre është ajo që i bënë bindëse. “Personazhet e tij janë shkruara në mënyrë shkëlqyeshme dhe të gjithat janë krijuar me kujdes në mënyrë që ai të mund t’i luajë të gjitha pjesët. Është bravurë. Është një këngë e quajtur ‘The Margate Hoy’ në të cilën luan rreth 10 personazhe në të njëjtën kohë duke biseduar me njëri-tjetrin. Është me të vërtetë qesharake; me të vërtetë, më vete kjo është operë e vogël shtatëminutëshe”.
Jashtë sezonit në Londër, Dibdini i çoi këto shfaqje lart e poshtë vendit. Një tjetër risi kjo. “Me sa di unë, askush nuk e kishte bërë këtë më parë: fjalë për fjalë ishte turne e një burri me piano duke luajtur në një gamë shumë të gjerë ambientesh”, thotë Chandler. “Sallat publike, ambientet private, klubet … ai madje bëri një shfaqje private për Princin regjent”.
Por, çelësi i suksesit të Dibdinit ishte se personazhet, rrëfimet dhe këngët e tij kishin tërheqje të gjerë, se ato nuk ishin vetëm për klasat e larta. “Dibdinit i pëlqenin lidhjet e tij me njerëz të fuqishëm; ai ia kushtoi madje një libër Princit”, thotë Chandler, por shton se Dibdini besonte se mund ta argëtonte këdo: “Kishte një seksion të gjerë të audiencës që ndryshonte në varësi të vendit ku ndodhej e ku jepte shfaqje – p. sh. në qytetet universitare kishte audiencë intelektuale e studentore, por ishin edhe qendrat industriale veriore. Ai flet për fermerët që vijnë në shfaqjen e tij”. Atij i pëlqente gjithmonë të luante në Liverpul dhe, me sa duket, humori i tij u përshtatej shumë mirë atje”. E, koha komike e Dibdinit, prania në skenë dhe lehtësia për të qenë gati pa përgatitje paraprake, ishte pjesë e brendit të tij. “Mënyra e tij e daljes në skenë ishte e një stili të lumtur”, shkruante bashkëkohësi i tij, dramaturgu John O’Keeffe. “Vrapoi me gjallëri dhe me një fytyrë gati të qeshur, si një mik që hyn me nxitim për t’jua dhënë një lajm të mirë”.
Mund t’i shihni edhe shfaqjet e Dibdinit si formë shumë të hershme stand-up-it. Ka rrëfime për të duke debatuar me publikun e dehur. “Mendoj se është gjithashtu pjesë e historisë së stand-up-it”, thotë Chandler. I tillë ishte suksesi i solo-shfaqjeve të tij. Kështu, Dibdini ishte në gjendje të hapte teatrin e tij të vogël “Sans Souci”, në Londër, më 1795, për t’i bërë të gjitha këto – diçka po ashtu e padëgjuar për një interpretues në atë kohë. “Ishte teatër i vogël, por një vend ku njerëzit donin të shiheshin,” sugjeron Butteriss.
Një tjetër qasje e çuditshme e Dibdinit ishte që të bëhej pionier i shitjes së produkteve të tij: do t’i shiste këngët si dhe librat në shfaqje. Qasja e tij vetëbotuese do të thotë se është e vështirë të dihet saktësisht se sa të njohura ishin tri romanet e tij, megjithëse e dimë se ato dolën në më shumë se një botim.
Më domethënëse janë partiturat e këngëve të cilat përmbanin tekste dhe partitura për tastiera dhe një lloj flauti. “Një nga goditjet gjeniale të Dibdinit ishte fillimi i botimit të muzikës së tij, diçka që nuk ishte aspak e zakonshme [në atë kohë]”, thekson Chandler. “Do ta nënshkruante secilin, ndaj duhet të ketë pasur seanca të mëdha nënshkrimi.”
Ishte edhe një tjetër risi e zgjuar: jo vetëm që i ofronte audiencës një shans për të pasë kujtim të nënshkruar të një nate të mirë, por edhe një mënyrë për të qenë i sigurt se meloditë e tij do të dëgjohen më gjerësisht, se do të këndohen në shtëpi ose në taverna. Si dëshmi se sa të shumta dhe të grumbulluara ishin këngët e tij, në koleksionin e baladave të mbijetuara në Bibliotekën “Bodleain” nga fundi i shekullit XVIII, 324 janë nga Dibdinit derisa rivali më i afër ka vetëm 11. Dhe, kjo nuk merr parasysh faktin se adhuruesit e Dibdinit bënin kopje të partiturës së dikujt tjetër. Pak partitura të tilla të shkruara me dorë kanë mbijetuar, por kjo praktikë ka të ngjarë të ishte e zakonshme dhe ne e dimë se kjo ndodhi me veprat e Dibdinit falë një adhurueseje të profilit të lartë: Jane Austen. Koleksioni i saj i vogël muzikor përmban disa vepra të Dibdinit të kopjuara me dorën e saj.
Por, nuk ishte e vetmja: ai gjithashtu mendohet se ka qenë frymëzim i madh për Gilbertin dhe Sullivanin. “Dibdini shpiku operën komike angleze që ata e zhvilluan më pas”, thotë Butteriss. Operat e Dibdinit ishin të njohura jo vetëm gjatë jetës së tij, por gjatë pjesës më të madhe të shekullit XIX. E, ne e dimë se WS Gilbert e pa veprën e Dibdinit kur ishte i ri”. Butteriss mendon se ndikimi i tij është i qartë. “Gilbert e ngre gjuhën e komedisë detare në ‘HMS Pinafore’, siç bëri Dibdini. Dhe, mendoj se audienca do ta kishte njohur këtë – një si homazh më shumë sesa një vjedhje.”
Dy nga operat më të suksesshme të Dibdinit, “The Waterman” (1774) dhe “The Quaker” (1775) u interpretuan në të gjithë botën anglofone dhe në Britani vazhduan të interpretoheshin edhe njëqind vjet pas vdekjes, tregon Chandler. “Gjë që është e pabesueshme: asnjë operë tjetër e kësaj periudhe nuk kishte një jetë kaq të gjatë sa ato”.
Të dy, Butteriss dhe Chandler, do të donin t’i shihnin operat e tij të jepen në skenat e mëdha, por nuk janë pjesët origjinale orkestrale. Ato që ekzistojnë, për shembull për “The Waterman”, vijnë nga shfaqjet nga mesi i shekullit XIX. Sa afër janë ato me origjinalet kjo është e paqartë, edhe pse në vetvete janë potencialisht interesante. Vitet 1840 – disa dekada pas vdekjes së Dibdinit – rezultuan të ishin momenti më i lartë për trashëgiminë e tij. Përveç operave që ende viheshin në skenë, pati gjithashtu një interes të madh për këngët e tij me botime të shumta të reja, përfshirë një koleksion ambicioz nga vjehrri i Charles Dickinsit, George Hogarth.
Dhe, pastaj … një zbehje graduale drejt një errësire relative. Një version i “The Waterman” u shfaq në “Covent Garden” në vitin 1911. Një tjetër operë, “Lionel and Clarissa”, u ringjall në Teatrin “Lyric” në Londër në vitin 1925. Njerëzit vazhdojnë të regjistrojnë “Tom Bowling”-un edhe sot e kësaj dite … Megjithatë, është një rënie e madhe kur kantautori më produktiv dhe më i famshëm i Britanisë mbahet mend vetëm për një melodi.
Pra, a mund të na tregojë jeta e Dibdinit diçka për atë që mund të presim yjet e pop-it të kohës sonë? Çfarë jete të përtejme mund të parashikojmë për David Bowien apo Adelen? Epo, ndoshta.
“Për një brez të tërë pas vdekjes së tij, Dibdini ishte me të vërtetë aktual; shumë nga këngët e tij ishin të njohura”, thekson Chandler, siç ndodhë tani me muzikën më të njohur të shekullit XX. “Ishin rreth 60 vjet që shumë anglezë njihnin një sasi të këngëve të Dibdinit. Por, në kohën kur kalojnë 80 vjet pas vdekjes së tij, ishte duke u zbehur. Kaq shumë gjëra të reja vijnë para sa disa nga të vjetrat kanë për t’u zhvendosur”.
Nëse një fat i tillë i pret yjet e popit në një epokë të aplkacionit Spotify, kjo mbetet për t’u parë. Por, siç dëshmon Dibdini, fama mund të jetë dashnore e paqëndrueshme dhe nuk ka asnjë garanci se nëse je figura më popullore në një epokë kjo do të thotë që do të mbahesh mend në një tjetër. /Telegrafi/