You are currently viewing Mundësia për përparim duket e vogël – por çfarë thanë Ukraina dhe Rusia për bisedimet e sotme në Turqi?

Mundësia për përparim duket e vogël – por çfarë thanë Ukraina dhe Rusia për bisedimet e sotme në Turqi?

Negociatorët ukrainas dhe rusë do të takohen në Turqi për bisedime ballë për ballë për herë të parë në dy javë, me Kievin që kërkon një armëpushim pa hequr dorë nga territori apo sovraniteti.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha për bisedimet në Stamboll: “Ne nuk do të ‘tregtojmë’ njerëz, tokë apo sovranitet”.

“Qëllimi minimal do të jetë çështje humanitare, kurse ai maksimal është arritja e marrëveshjes për armëpushim”, tha ai në televizionin kombëtar, përcjell Telegrafi.

Por këshilltari i ministrisë së brendshme të Ukrainës Vadym Denysenko tha se ai dyshonte se do të kishte ndonjë përparim.

Gjithashtu edhe një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit të SHBA-së hodhi dyshime të ngjashme mbi shpresat për përparim, duke thënë se presidenti rus Vladimir Putin nuk dukej i gatshëm për të bërë kompromise për t’i dhënë fund luftës.

Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se bisedimet e deritanishme nuk kishin dhënë ndonjë përparim thelbësor, por ishte e rëndësishme që ato të vazhdonin. Ai nuk pranoi të jepte më shumë informacion, përcjell Telegrafi.

Udhëheqësi i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, zhvilloi një telefonatë një ditë më parë me homologun e tij rus.

Ai është përpjekur të pozicionojë vendin e tij si ndërmjetësin kryesor dhe në telefonatë, ai i kërkoi Kremlinit të binte dakord për një armëpushim.